Protesta e 53-të kundër kryeministrit Edi Rama është shoqëruar jo vetëm me fjalime dhe thirrje politike, por edhe me forma simbolike proteste që kanë tërhequr vëmendjen.
Një grup studentësh realizoi një performancë artistike para Kryeministrisë, duke ironizuar klasën politike shqiptare përmes një skene të konceptuar si një lojë pokeri, ku në “tavolinë” vihej në lojë fati i Shqipërisë.
Të ulur rreth një tavoline me letra bixhozi, studentët mbanin para fytyrës fotografitë e figurave të njohura politike, mes tyre kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, si dhe Belinda Balluku, Taulant Balla, Erion Braçe, Flamur Noka, Sara Mila, Zegjine Çaushi dhe Ardit Bido.
Elementi më domethënës i performancës ishin çipat e pokerit, të cilët në vend të vlerave monetare mbanin fotografi të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
Përmes këtij detaji, studentët synuan të përcillnin mesazhin se qytetet, pasuritë dhe e ardhmja e vendit po trajtohen si “baste” në një lojë politike.
Performanca u ndoq me interes nga protestuesit dhe u shndërrua në një nga momentet më të veçanta të tubimit, duke përcjellë përmes artit një mesazh kritik ndaj klasës politike.
