Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar që Kuvendi të dënojë dhunën ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës jashtë Parlamentit, ndërsa ka sulmuar opozitën për qëndrimin e saj.

Balla hodhi akuza duke deklaruar se në protestë ka persona me lidhje, sipas tij, me Gardën e Iranit dhe se protesta po përdoret për akte dhune. Ai u shpreh se policia nuk duhet të përballet me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës dhe kërkoi reagim nga drejtësia.

Duke iu drejtuar opozitës, Balla përdori tone të ashpra, duke thënë se ajo nuk është distancuar nga dhuna. Ai përfundoi duke kërkuar që Kuvendi të mbajë një qëndrim kundër dhunës ndaj uniformave blu. “Së pari duhet të shprehim solidaritetin dhe lutjet që 4 punonjësit e policisë së plagosur nga dhuna barbare e disa elementëve terroristë, të cilët në mënyrë të përsëritur tanimë kanë goditur punonjësit e policisë së shtetit, të cilët janë aktualisht në qendrën spitalore dhe në pjesën e urgjencës për t’u trajtuar. Uroj shumë që shëndeti i tyre dhe jeta e tyre të mos rrezikohet. Është keqardhje e madhe që Partia Demokratike, një prej partive kryesore politike në Shqipëri në këto 36 vite, jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi si një protestë kundër dhunës.
Protesta nisi kundër dhunës. Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, një javë më parë në Konferencën Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, e theksoi shumë qartë që ka disa lëvizje të ekstremit të cilët mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë. Persona të identifikuar prej nesh, me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit, janë orkestruesit kryesorë të akteve të dhunës. Solidariteti i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë— Jeni të përdhunuar nga ajo protestë, por ne kurrsesi për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit. Gjaku i punonjësve të policisë së shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi punonjësit e policisë së shtetit, ka ngritur dorë kundër shtetit. Dhe prandaj thirrja ime nuk është për policinë; policia po e bën detyrën e vet në mënyrë të shkëlqyer. Thirrja ime është për drejtësinë, për prokurorë dhe gjyqtarë, edhe jetën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, sikurse çdo shtetas i shqiptar…
Solidaritet sot me policinë e shtetit, ndërkohë që— ndërkohë që unë nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga Partia Demokratike të mos distancohet nga dhuna. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta dhe prandaj ju nuk distancoheni. Ç’ke që bërtet? Kështu që, zoti kryetar, Kuvendi i Shqipërisë duhet ta dënojë, duhet ta dënojë ashpër, duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë. Faleminderit.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb