Këshilli i sigurisë i Greqisë, KYSEA, pritet të japë miratimin e tij përfundimtar të enjten për blerjen e një sistemi shumështresor të mbrojtjes ajrore nga Izraeli, me vlerë deri në 3.5 miliardë euro (4 miliardë dollarë), dhe disa lloje dronësh, thanë dy burime për Reuters. KYSEA dha miratimin e tij fillestar më herët këtë vit dhe pritet të miratojë kontratat e prokurimit, tha për Reuters një zyrtar me njohuri për marrëveshjen. Greqia dëshiron të ndërtojë një sistem shumështresor anti-balistik, anti-ajror dhe anti-dron, të quajtur “Mburoja e Akilit”.

Radarët dhe raketat izraelite nga Rafael dhe IAI do të formojnë thelbin e sistemit. Qeveria greke ka thënë se planifikon të shpenzojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të modernizuar forcat e saj të armatosura, duke përfshirë blerjen e deri në 40 avionëve të rinj luftarakë F-35 nga SHBA-ja dhe fregatave nga Franca dhe Italia. Greqia shpenzon gati 3.5% të produktit të brendshëm bruto për mbrojtje, një përqindje më e lartë se shumë vende të tjera të NATO-s, për shkak të mosmarrëveshjes së saj të gjatë me Turqinë.

Me lidhje të forta ekonomike dhe diplomatike, Greqia dhe Izraeli operojnë një qendër trajnimi ajror në territorin grek, zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake vjetore dhe bashkëpunojnë në sistemet anti-dron dhe sigurinë kibernetike. Greqia vitin e kaluar miratoi blerjen e 36 sistemeve të artilerisë raketore të prodhuara në Izrael për rreth 650 milionë euro.

“KYSEA do të miratojë gjithashtu blerjen e dronëve nga SHBA-ja dhe Izraeli”, theksohet me tej. Një zyrtar i dytë konfirmoi informacionin mbi sistemin mbrojtës nga Izraeli dhe blerjen e dronëve. Greqia aktualisht përdor sistemin Patriot amerikan dhe sistemet e vjetra ruse S-300 për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.

Vetëm pak vite më pare Greqia ishte një nga vendet më të goditura nga kriza ekonomike. Për t’i bërë ballë krizës së rëndë të borxhit, Bashkimi Evropian së bashku me FMN-në ndihmoi Greqinë përmes: tre paketave të njëpasnjëshme financiare shpëtimi, kushtëzimit të kredive me reforma të forta dhe masa shtrënguese, si dhe rikostitutimit të borxhit.`

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb