Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, iu përgjigj në Kuvend Elisa Spiropalit, pasi kjo e fundit e ftoi të fliste kundër sistemit dhe abuzimit me pushtetin.

Tabaku e cilësoi pozitiv faktin që Spiropali tashmë pranon nevojën për të luftuar korrupsionin dhe për të larguar nga pushteti personat që abuzojnë apo vjedhin. Megjithatë, ajo i kujtoi se ky sistem është ngritur dhe mbështetur me votat e mazhorancës socialiste.

Sipas deputetes demokrate, kur Spiropali drejtonte Kuvendin, në kalendarin parlamentar u përfshinë dhe u miratuan me procedura të përshpejtuara ligje “me porosi”, në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurën parlamentare. Tabaku theksoi se disa prej këtyre akteve sot kundërshtohen nga qytetarët dhe kritikohen edhe nga institucionet europiane.

“Jam shumë dakord me ju, zonja Spiropali. I bashkohemi betejës suaj, nëse më në fund e keni kuptuar se cila është e keqja e këtij vendi”, deklaroi Tabaku.

Ajo e ftoi Spiropalin që deklaratat kundër sistemit t’i shndërrojë në veprime konkrete, duke bashkuar votat me opozitën për hapjen e listave, rikthimin e Kuvendit te qytetarët dhe luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

“Të biem të gjithë dakord se sot ndodhemi në një ngërç për shkak të abuzimit me pushtetin. I bashkohemi betejës suaj, sepse më në fund e keni kuptuar se ky Parlament nuk përfaqëson qytetarët”, u shpreh Tabaku.

Deputetja e PD-së nënvizoi se përgjegjësia politike nuk mund të ndahet nga votat me të cilat mazhoranca ka miratuar ligjet që sot kërkohet të rrëzohen. Sipas saj, nëse përfaqësuesit socialistë e kanë seriozisht betejën kundër sistemit, duhet të votojnë së bashku me opozitën për ndryshimin e tij.

Jorida Tabaku:

Spiropali më së fundi ka zbritur me këmbë në tokë dhe ka kuptuar se ato gjëra që ne i kemi kërkuar në politikë prej vitesh, sot po i kërkoni edhe ju.

Më në fund po kërkoni që patjetër të luftojmë korrupsionin, të largojmë ata që abuzojnë me pushtetin dhe ata që vjedhin.

Jam shumë dakord me ju, zonja Spiropali.

I bashkohemi betejës suaj, nëse më në fund e keni kuptuar se cila është e keqja e këtij vendi.

E keqja e këtij vendi, fatkeqësisht, kanë qenë edhe ato ligje me porosi që, kur keni qenë kryetare e Kuvendit, i keni futur në kalendar. Janë ato ligje me porosi për të cilat sot kërkojnë llogari Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian.

Kam qenë konsekuente kundër reformave dhe ligjeve të miratuara në këtë Parlament.

Ju i votuat!

T’i hapim listat. Dilni dhe kandidoni, dhe t’i hapim listat. Por të biem të gjithë dakord se e keqja e këtij vendi është Partia Socialiste.

Të biem të gjithë dakord se sot mazhoranca i ka shkaktuar vendit dëmin më të madh.

Të biem të gjithë dakord se sot ndodhemi në një ngërç për shkak të abuzimit me pushtetin.

I bashkohemi betejës suaj, sepse më në fund e keni kuptuar se ky Parlament nuk përfaqëson qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb