Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e një 74-vjeçareje, i ndodhur më 23 korrik në autostradën “Durrës-Tiranë”. Në pranga ka rënë drejtuesi i automjetit, Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se përplasi për vdekje shtetasen M. T., 74 vjeçe.
Gjatë hetimeve u arrestua edhe djali i tij, B. M., 32 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në automjet në momentin e aksidentit.
Sipas Policisë, babë e bir u larguan nga vendi i aksidentit menjëherë pas përplasjes, pa i dhënë ndihmë viktimës dhe pa njoftuar autoritetet.
Hetimet zbuluan gjithashtu se 32-vjeçari dyshohet se fshehu automjetin tip “Mercedes-Benz” të përfshirë në aksident dhe riparoi dëmet e shkaktuara nga përplasja, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Automjeti është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
