Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi pritet të zhvillohen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit, të ndara nga zgjedhjet presidenciale.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se do të mbajë premtimin e bërë qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme deri në fund të vitit 2026. Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Vuçiç tha se qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre të lirë.
“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb. Para fundit të vitit do të kemi zgjedhje parlamentare, ndërsa pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale”, deklaroi Vuçiç.
Në fund të muajit qershor, presidenti serb u tha mbështetësve të partisë së tij se mund të largohet nga posti i kreut të shtetit për të kandiduar për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Synimi i Vuçiç është sigurimi i një mandati të ri qeverisës për forcën e tij politike, ndërsa Serbia vijon të përballet me një valë të gjatë protestash që kanë zgjatur prej më shumë se një viti.
Protestat nisën në vitin 2024 pas shembjes së strehës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia shkaktoi zemërim të madh publik dhe nxiti akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të institucioneve të shtetit të së drejtës.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, bëri të ditur se të hënën, më 27 korrik, do të caktohet seanca e jashtëzakonshme për votëbesimin e qeverisë. Nëse qeveria nuk merr mbështetjen e nevojshme, parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
