Një incident i rëndë është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në Durrës, ku raportohet për të shtëna me armë pas një konflikti mes Denis Tafilit dhe Edison Gjuzit.
Sipas informacioneve paraprake, në konflikt është përfshirë edhe një punonjës policie, ndërsa në vendngjarje është qëlluar me armë zjarri.
Denis Tafili rezulton person në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Njoftimi i policisë; Durrës; Informacion paraprak
Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
