Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar habi gjatë darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pasi u shfaq me një kapelë të kuqe me mbishkrimin “Trump 2028”, duke lënë të kuptohet se synon një mandat të tretë në krye të Shteteve të Bashkuara.
Në fund të fjalimit të tij, që zgjati më shumë se një orë, Trump deklaroi hapur se rikthimi në garën presidenciale është një objektiv i tij.
“Ky është qëllimi im. Dhe ky është… qëllimi im për një mandat të tretë si president i Shteteve të Bashkuara. Do ta bëjmë”, tha Trump para të pranishmëve.
Ai shtoi se ka fituar tashmë tre gara politike dhe se synon një tjetër fitore.
“Kam fituar. Kam fituar tri herë. Tani do ta bëj sërish”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump vijoi duke thënë se një tjetër kandidim do të ishte i realizueshëm.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se është bërë shumë i aftë në garat presidenciale dhe se rikthimi i tij në pushtet ka sjellë, sipas tij, rezultate pozitive.
“Po bëhem shumë i mirë në kandidimin për president. Do të keni kohë të flisni për këtë. Është interesante kur rikthehesh dhe bën një punë të mirë, siç kemi bërë ne”, tha Trump.
Në fund të fjalimit, ai u përpoq të zbusë tonin, duke falënderuar të pranishmit për mbrëmjen.
“Por, duke folur seriozisht, dua t’ju falënderoj edhe një herë të gjithëve. Ishte një mbrëmje interesante”, u shpreh ai.
Më pas, në sallë nisi të luhej kënga “YMCA”, një nga këngët më të preferuara të Trumpit, ndërsa presidenti amerikan shoqëroi muzikën me lëvizjet e tij karakteristike të kërcimit.
