Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po zhvillohet në Detin e Kinës Jugore, pasi një anije mallrash vietnameze u mbyt, duke lënë 23 persona të zhdukur. Deri më tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të shpëtojnë 39 persona.
Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, anija “Khoi Nguyen 18”, me 62 shtetas vietnamezë në bord, dërgoi një sinjal alarmi pasi hasi vështirësi në zonën detare pranë Fiery Cross Reef, në Ishujt Spratly.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vijojnë pa ndërprerje. Anija, e regjistruar në Vietnam, ishte rreth 70 metra e gjatë dhe kishte një tonazh bruto prej 999 tonësh.
A Vietnamese vessel sank after encountering distress in waters near Yongshu Reef in the Nansha Islands in the #SouthChinaSea, with 39 people rescued so far, authorities of #China's Sansha City said. All those rescued are Vietnamese nationals from the distressed vessel "Khoi… pic.twitter.com/H4cGgrReY0
— CCTV Asia Pacific (@CCTVAsiaPacific) July 26, 2026
Zona ku ndodhi incidenti është pjesë e Ishujve Spratly, të njohur nga Kina si Ishujt Nansha, një arkipelag i kontestuar në Detin e Kinës Jugore dhe i pasur me burime natyrore. Kina pretendon sovranitet mbi pothuajse të gjithë këtë rrugë ujore strategjike, duke përfshirë Ishujt Spratly, ku ka ndërtuar pista ajrore dhe ishuj artificialë të militarizuar. Megjithatë, këto pretendime kundërshtohen nga Vietnami, Filipinet, Tajvani, Malajzia dhe Brunei, të cilat gjithashtu pretendojnë pjesë të zonës.
