Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pyllin e Sodës në Vlorë, duke mobilizuar forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës për të vënë nën kontroll situatën.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke rrezikuar përhapjen në një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi. Përballë situatës së krijuar, banorë dhe pushues janë angazhuar në ndihmë të zjarrfikësve në përpjekje për të izoluar vatrën dhe për të penguar avancimin e flakëve.
Burime nga terreni bëjnë me dije se zjarri paraqet rrezik edhe për bizneset dhe ambientet e tjera pranë zonës së prekur. Për këtë arsye, shërbimet zjarrfikëse kanë vendosur në dispozicion të gjithë personelin dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrjen.
Në vendngjarje ndodhen gjithashtu strukturat e tjera të emergjencës, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për neutralizimin e flakëve vijon.
