Moska ka përshkallëzuar sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, duke vënë në shënjestër objekte portuale dhe anije në Detin e Zi.

Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, forcat ruse kanë kryer sulme të synuara në zonën e Odesës, duke goditur disa objektiva që, sipas pretendimeve të Moskës, lidhen me transportin e ngarkesave ushtarake.

Në një deklaratë të publikuar në platformën Telegram, pala ruse bëri të ditur se një nga objektivat ishte terminali i kontejnerëve në portin e Çornomorskut. Moska pretendon se ky objekt përdorej për furnizime ushtarake.

Gjithashtu, ushtria ruse deklaroi se kishte goditur një anije në jug të Odesës, e cila sipas saj ishte përdorur për transportin e pajisjeve ushtarake.

Në një njoftim të mëvonshëm, Ministria ruse pretendoi se ishin goditur edhe dy transportues të tjerë mallrash me shumicë, pa dhënë detaje për kohën dhe vendndodhjen e saktë të këtyre sulmeve.

Autoritetet ukrainase ende nuk kanë dhënë një reagim të plotë për pretendimet e Moskës.

Vonë sonte, autoritetet portuale ukrainase raportuan se një transportues mallrash i cili u godit javën e kaluar u fundos sot në brigjet e Odesës.

Anija “Golden Leo”, që mbante flamurin e Guinea-Bissau, u fundos pranë portit. Nëntë anëtarë të ekuipazhit të saj u vranë në sulm dhe tetë u shpëtuan.

Anija, e cila ishte nisur nga porti i Çornomorskut duke transportuar misër, pësoi dëme të konsiderueshme kur u godit nga forcat ruse më 19 korrik. Moska nuk ka komentuar për sulmin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb