Franca dhe Spanja po përballen me një nga valët më të rënda të zjarreve pyjore të viteve të fundit, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta. Situata është veçanërisht kritike në jugperëndim të Francës, ku zjarri po i afrohet qytetit të Bordeaux.

Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë këtë të hënë një mbledhje krize të kabinetit për të koordinuar përgjigjen ndaj emergjencës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën.

Kryebashkiaku i Bordeaux, Thomas Cazenave, tha se flakët ndodhen rreth 15 kilometra larg qytetit, por theksoi se aktualisht nuk ka plan për evakuimin e rreth 850 mijë banorëve. Megjithatë, dhjetëra mijëra persona janë larguar tashmë nga zonat përreth, ndërsa ministri i Brendshëm Laurent Nuñez e përshkroi situatën si “shumë të pafavorshme”, duke theksuar se zjarri po lëviz në mënyrë të paparashikueshme drejt qytetit.

Parashikimet meteorologjike tregojnë se temperaturat në disa rajone të Francës mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, çka pritet të vështirësojë edhe më shumë operacionet e zjarrfikësve.

Një fenomen i rrallë dhe i rrezikshëm, i njohur si “pyrocumulonimbus”, është krijuar mbi rajonin e Girondës. Bëhet fjalë për një stuhi gjigante të shkaktuar nga vetë zjarri, e ushqyer nga nxehtësia, erërat dhe vetëtimat që krijon. Federata Kombëtare e Zjarrfikësve të Francës paralajmëroi se fronti i flakëve ndryshon vazhdimisht, duke e bërë pothuajse të pamundur luftën e drejtpërdrejtë me zjarrin.

“Nuk e dimë se si do të përhapet zjarri. Është një betejë si Davidi kundër Goliathit,” deklaroi zëdhënësi i federatës, Eric Brocardi.

Sipas tij, vetëm reshje të dendura shiu për disa ditë ose drejtimi i flakëve drejt zonave ku mund të shuhen natyrshëm mund të ndalojnë përparimin e tyre.

Deri tani, rreth 42 mijë hektarë pyje janë djegur vetëm në jugperëndim të Francës, ndërsa që nga fillimi i vitit sipërfaqja e shkrumbuar ka arritur në 98 mijë hektarë. Autoritetet raportojnë se mbi 220 mijë persona janë evakuuar në këtë pjesë të vendit.

Edhe Spanja po përballet me një situatë dramatike. Një zjarr i ri pranë Valencias ka detyruar evakuimin e rreth 15 mijë banorëve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen.

Kryeministri Pedro Sánchez, gjatë një vizite në zonat e prekura në provincën Ávila, deklaroi se vendin e presin “orë shumë të vështira” dhe bëri thirrje për një pakt kombëtar për përballimin e emergjencës klimatike.

Ndërkohë, Mbreti Felipe VI tha se zjarret kanë shkaktuar dëme “të pallogaritshme” në trashëgiminë natyrore të Spanjës.

Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 77 mijë hektarë janë përfshirë nga flakët në të gjithë vendin, ndërsa më shumë se 90 mijë persona janë evakuuar nga rajonet e Madridit dhe Ávilës.

Në total, mbi 330 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë dhe Spanjë, ndërsa Evropa Jugore vijon të përballet me një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve të dekadave të fundit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb