Një epokë e re nis për kombëtaren e Francës. Zinedine Zidane është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i “Les Bleus”, duke marrë vendin e Didier Deschamps pas një cikli të gjatë dhe të suksesshëm në stolin francez.
Për legjendën e futbollit francez bëhet fjalë për rikthimin e shumëpritur në pankinë, pas pesë vitesh larg drejtimit të një skuadre. Zidane kishte refuzuar disa oferta nga klube të rëndësishme, duke pritur mundësinë për të drejtuar përfaqësuesen e vendit të tij.
Objektivi i tij do të jetë ndërtimi i një skuadre konkurruese për Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030, duke u mbështetur te brezi i ri i futbollistëve francezë, me Kylian Mbappé si liderin e projektit. Emërimi i Zidane shënon fundin e një epoke me Deschamps dhe fillimin e një kapitulli të ri për kombëtaren franceze.
Franca e Didier Deshcamps u pa nga të gjithë analistët si një prej skuadrave favorite të Kupës së Botës 2026, por “gjelat” u befasuan në gjysmëfinale nga Spanja, duke u mundur 2-0, ndërsa më pas “La Roja” arriti të shpallej kampione bote.
