GREQI- Një operacion i gjerë kontrolli nga ekipet inspektuese të Rajonit të Atikës ka çuar në sekuestrimin e 6.2 tonëve produkte ushqimore me origjinë shtazore, të cilat janë cilësuar të papërshtatshme për konsum dhe shpërndarje.
Inspektimet nisën në një strukturë prodhimi dhe përpunimi mishi në zonën e Ilionit, ku autoritetet zbuluan se subjekti i regjistruar në dokumentacion kishte ndërprerë aktivitetin, ndërsa në të njëjtin ambient operonte një kompani tjetër pa autorizimet e nevojshme për përpunimin, prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të mishit.
Sipas autoriteteve, kjo kompani nuk figuronte as në listën e objekteve të miratuara nga EFET, organizata kompetente për kontrollin e ushqimeve në Greqi.
Gjatë kontrollit, inspektorët sekuestruan 6,047 kilogramë produkte mishi nga dhomat frigoriferike, pasi ato nuk kishin shenja të ligjshme identifikimi ose kishin kode të pavlefshme.
Pas zbulimit, u krye gjurmimi i menjëhershëm i zinxhirit të shpërndarjes, duke evidentuar se produktet ishin dërguar në 20 biznese ushqimore në zona të ndryshme të Atikës. Kontrollet shtesë çuan në sekuestrimin edhe të 151 kilogramëve të tjerë produkte, duke e çuar sasinë totale në rreth 6.2 ton.
Autoritetet bënë të ditur se procedurat ligjore për sekuestrimin janë përfunduar dhe janë ngritur komisione për shqyrtimin e masave administrative ndaj subjekteve përgjegjëse.
Guvernatori i Atikës, Nikos Hardalias, deklaroi se kontrollet do të vijojnë dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkeljeve që rrezikojnë sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Sipas tij, kontrollet sistematike dhe vendosja e sanksioneve janë të domosdoshme për garantimin e një tregu të sigurt dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
