Adnan Xholi, i pari prokuror që dorëzon dokumentet për garën për kryeprokurorin e ri të vendit.

Kandidatura është dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mandati i prokurorit të përgjithshëm është 7-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhje.

Me një karrierë mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë, Xholi është një nga emrat më të njohur të prokurorisë shqiptare. I lindur në Dibër më 6 korrik 1975, ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe është emëruar prokuror në janar të vitit 2004.

Më herët ka shërbyer si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Gjirokastër, përpara se të transferohej në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione drejtuese. Ai ka drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Lezhës dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa më pas ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: