Seanca gjyqësore ndaj Monika Kryemadhit ka vijuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kryemadhi ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Gjatë mbrojtjes së saj, Kryemadhi deklaroi se organi i akuzës po i interpreton mesazhet dhe komunikimet elektronike jashtë kontekstit, duke i përdorur si prova për të mbështetur akuzat.

“Jemi në faqen e 46 të aktakuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, pasi akuza bën interpretime të ndryshme. Në 167 email-et që Adrian Shatku ka me mua, vetëm katër janë përdorur nga akuza, ndërsa të tjerat nuk kanë asnjë lidhje,” u shpreh ajo.

Kryemadhi iu referua edhe një komunikimi ku, sipas saj, përmendet fraza “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat”, ndërsa Adrian Shatku i përgjigjet me fjalën “Urime”. Sipas saj, SPAK e konsideron këtë mesazh si provë penale, megjithëse vendimi përkatës nuk është miratuar.

“Akuza është e bazuar në interpretime dhe deduksione të mesazheve. Kjo VKM nuk u miratua nga Ministria e Inovacionit, ndaj nuk mund të përdoret si provë e një ndikimi të paligjshëm politik,” tha Kryemadhi.

Ajo shtoi gjithashtu se, edhe pse SPAK pretendon se çështja që lidhet me seksionin e fibrës optike është e parashkruar, e ka përfshirë atë në aktakuzë për të rënduar pozitën e të pandehurve.

Sipas Kryemadhit, një pjesë e komunikimeve të datës 11 prill me Adrian Shatkun janë shkëputur nga kronologjia dhe janë paraqitur në mënyrë selektive nga prokuroria.

Seanca në GJKKO vijon me shqyrtimin e provave dhe pretendimeve të palëve.

Kryemadhi: Janë 70 faqe vetëm fibrën optike. Provat shkresore nuk vërtetojnë ndërhyrje. Organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe mi nxjerr në media. Nëse kam vetëm 4 email-e të Adrian Shatkut, do i lexoj edhe gjithë të tjerat.

Gjyqtari: Këtu nuk flitet për gjithçka bëni ju, vetëm për objekt i gjykimit. Jo çdo lloj komunikimi që keni pasur ju në jetën tuaj

Kryemadhi: I bie të rrimë 45 vjet ne këtu. U them vetëm për fibrën optike organi i akuzës ka përdorur 65 mesazhe. Përderisa jam në akuzë do i përmend.

Gjyqtari: Mund të jeni më të përmbledhur

Kryemadhi: Zoti gjyqtar, e përmbledhur është. Duke parë dosje  vetë, çdo ditë rezulton nga një provë e keq interpretuar. Jam llahtarisur, të çohet drejtori juridik  që është ambasador sot, në një nivel katastrofik, gjobaxhi. Kërkoj falje sinqerisht. Është procesverbali për mënyrën sesi kemi funksionuar.

Nëse te komunikimet janë Monika Kryemadhi, Adrian Shatku dhe Edi Rama, ç’punë ka Ilir Meta? Standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjitha provat. Komunikime të tjera nuk janë marrë në konsideratë, prandaj mesazhet janë selektive në një kontekst krejt tjetër. Asnjëra nuk përmban ushtrimin e ndikimin e paligjshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb