Rodri pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të merkatos së kësaj vere. Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt mund të rikthehet në La Liga, me Real Madridin që aktualisht konsiderohet favoriti për të siguruar firmën e tij. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e klubit madrilen kanë hedhur hapa konkretë në negociata dhe kanë arritur një marrëveshje paraprake me futbollistin, ndërsa tashmë mbetet për t’u gjetur gjuha e përbashkët me Manchester Cityn për formulën dhe vlerën e transferimit.

Kontrata e Rodrit me kampionët e Anglisë skadon në verën e vitit 2027 dhe fakti që lojtari ende nuk ka pranuar rinovimin ka shtuar edhe më shumë spekulimet për të ardhmen e tij. City nuk dëshiron të humbasë një nga shtyllat e skuadrës, por përballë një oferte të rëndësishme financiare mund të pranojë largimin e tij.

Ndërkohë, në garë është futur edhe Barcelona. Klubi katalanas po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe ëndërron një goditje të madhe në merkato, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë moment Real Madridi mbetet në avantazh. Me interesimin e dy rivalëve të përjetshëm të futbollit spanjoll dhe qëndrimin e Manchester Cityt për ta mbajtur në skuadër, saga e Rodrit pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos verore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb