Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë emergjente me 300 raketa Patriot për të përballuar sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky bëri të ditur se kërkesa u diskutua gjatë takimit të zhvilluar të martën në Shtëpinë e Bardhë, ku në fokus ishte edhe mundësia që Ukraina të marrë licencë për prodhimin e raketave Patriot.

“Diskutuam dhënien e një licence për prodhimin e raketave Patriot dhe ide të tjera që mund të ndihmojnë Ukrainën,” tha presidenti ukrainas, duke shtuar se vendit të tij i nevojiten sistemet e mbrojtjes ajrore sa më shpejt.

Pas takimit me Trump, Zelensky zhvilloi bisedime edhe me përfaqësues të kompanive amerikane Lockheed Martin dhe Raytheon, prodhues të raketave Patriot.

Megjithatë, ai pranoi se edhe nëse Ukraina siguron licencën e prodhimit, do të duhen nga një deri në pesë vjet për të arritur prodhimin në shkallë të gjerë.

“Ne kemi nevojë për Patriot,” u shpreh Zelensky, duke theksuar urgjencën e situatës përpara sezonit të dimrit.

Nga ana e tij, presidenti Trump premtoi se do të përpiqet të ndihmojë Kievin, por nënvizoi se SHBA e ka të vështirë të furnizojë Ukrainën me një numër kaq të madh raketash, për shkak të angazhimeve të tjera ushtarake, përfshirë konfliktin me Iranin.

Zelensky bëri të ditur gjithashtu se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mund të vizitojnë Kievin brenda dy javëve të ardhshme.

Sipas tij, qëllimi i vizitës do të jetë diskutimi i mundësive për rifillimin e negociatave të paqes, megjithëse presidenti ukrainas mbetet skeptik se Rusia do të pranojë një armëpushim në këtë fazë të konfliktit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb