FC Drita është kualifikuar në raundin e tretë të UEFA Conference League, pasi mposhti Floriana FC, me rezultat 2:1 pas vazhdimeve, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pas barazimit 1:1 në takimin e parë në Maltë, skuadra gjilanase siguroi kalimin tutje falë një paraqitjeje të fortë dhe një përmbysjeje dramatike në fund të ndeshjes.
Floriana kaloi në epërsi në minutën e 40-të, kur Paul Mbong realizoi një gol të bukur për 1:0. Drita reagoi me këmbëngulje dhe, pasi krijoi disa raste të mira shënimi, arriti të barazojë në minutën e 87-të. Jorgo Pëllumbi realizoi për 1:1, duke e dërguar sfidën në vazhdime.
Një rol vendimtar në kualifikimin e Dritës pati Raddy Ovouka, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të nga trajneri Zekirija Ramadani. Ovouka asistoi te goli i barazimit, ndërsa në fillim të vazhdimit të parë aksioni i tij detyroi mbrojtësin e Florianas të shënonte autogol, duke i dhënë Dritës epërsinë dhe fitoren 2:1.
Skuadra kampione e Kosovës e administroi me sukses epërsinë deri në fund, duke vulosur kualifikimin në raundin e tretë të kësaj gare.
Në fazën e ardhshme, Drita do të përballet me Tre Fiori nga San Marino. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 6 gusht në San Marino, ndërsa ndeshja e kthimit një javë më vonë në Kosovë.
