Një vatër e madhe zjarri ka “shpërthyer” pasditen e sotme në territorin e bashkisë së Belshit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët dhe autoritetet vendore.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 16:00 flakët janë shfaqur në zonën ku kufizohen fshatrat Seferan dhe Merhojë. Të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, ato janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj ,shkurre, bimësi dhe parcela bujqësore.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by News24 Albania (@news24al)

Nga zjarri janë dëmtuar edhe disa parcela me ullinj, ndërsa flakët vijojnë të avancojnë, duke rrezikuar seriozisht banesa që ndodhen pranë vatrës së zjarrit. Banorët e zonës janë vënë në alarm, ndërsa po ndjekin me shqetësim zhvillimin e situatës.

Për përballimin e emergjencës janë mobilizuar menjëherë forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Belsh, strukturat e Emergjencave Civile, punonjës të bashkisë dhe shërbime të tjera në terren. Ekipet po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.

Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të temperaturave të larta dhe erës, e cila ndryshon vazhdimisht drejtimin e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e efektivëve zjarrfikës.

Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në mbrojtjen e jetës së banorëve dhe të pronave të tyre, si dhe në vënien nën kontroll të zjarrit.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Pas shuarjes së plotë të flakëve, pritet që grupet hetimore dhe ekspertët përkatës të kryejnë verifikimet në terren për të përcaktuar origjinën e tij.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së përfshirë nga zjarri, të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet për çdo vatër të re zjarri, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë dhe efektive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb