Një krizë e paprecedentë migratore ka goditur enklavën spanjolle të Ceutës, pasi rreth 60 mijë emigrantë kaluan kufirin nga Maroku brenda vetëm 24 orëve, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe reagime të forta politike në Spanjë dhe Bashkimin Evropian.
Sipas autoriteteve lokale, të paktën 34 persona humbën jetën, shumica e tyre nga mbytja, ndërsa mijëra emigrantë hynë në territorin spanjoll si nga toka ashtu edhe nga deti, duke tejkaluar kapacitetet e rojeve kufitare.
Përballë situatës, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez udhëtoi menjëherë në Ceuta, ku e cilësoi valën e hyrjeve të paligjshme si një “shkelje të integritetit territorial të Spanjës”.
“Ajo që ndodhi dje meriton qortimin dhe dënimin tonë të plotë. Qeveria do të përdorë të gjitha instrumentet dhe burimet e shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” deklaroi Sánchez.
Qeveria spanjolle njoftoi se do të përpiqet të riatdhesojë sa më shpejt emigrantët që kanë hyrë ilegalisht, pavarësisht kufizimeve të reja të vendosura nga Gjykata Supreme e Spanjës mbi procedurat e dëbimit të menjëhershëm në kufi. Sipas Sánchez, fluksi masiv lidhet me një vendim të fundit të gjykatës, sipas të cilit migrantët që mbërrijnë nga deti nuk mund të kthehen automatikisht në Marok.
Presidenti i qeverisë autonome të Ceutës, Juan Jesús Vivas, konfirmoi se rreth 60 mijë persona kaluan kufirin gjatë një dite dhe se 34 prej tyre humbën jetën gjatë përpjekjes për të hyrë në territorin spanjoll.
Kriza ka shkaktuar reagime të menjëhershme edhe në Evropë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kërkoi pezullimin e Spanjës nga zona Shengen, duke deklaruar se vendi i saj është i gatshëm të mbështesë masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Evropian.
“Lidhur me emigracionin e paligjshëm, nuk do të tërhiqemi asnjë centimetër. Mbrojtja e kufijve, lufta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe riatdhesimet efektive do të mbeten prioritetet tona,” u shpreh Meloni.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, urdhëroi forcimin e kontrolleve në kufirin me Spanjën.
Edhe presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke theksuar se “askush nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa respektuar rregullat tona”.
Kriza në Ceuta pritet të intensifikojë debatet mbi politikën evropiane të migracionit dhe sigurinë e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
