Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar lidhur me diskutimet për reformën e re territoriale, duke akuzuar Partinë Socialiste se synon të përdorë këtë proces për interesa elektorale dhe jo për zhvillimin e pushtetit vendor.

Përmes një reagimi publik, Teliti deklaron se reforma territoriale duhet të ketë si mision kryesor zhvillimin lokal dhe jo, sipas tij, “vizatimin e hartave të reja elektorale”. Ai shprehet se ka qenë i angazhuar në këtë proces që nga fillimi dhe vlerëson se ndarja territoriale e vitit 2014 dëmtoi ekonomitë lokale dhe kontribuoi në shpopullimin e shumë zonave të vendit.

Sipas Telitit, qeveria po tenton të shkrijë edhe 15 bashki të tjera, duke përmendur si shembuj Prrenjasin, Memaliajn dhe Belshin, ndërsa argumenton se kjo nuk bëhet për rritjen e efikasitetit, por për llogari politike. Në reagimin e tij, ai krahason qasjen e Partisë Socialiste me atë të Partisë Demokratike, duke pretenduar se mazhoranca synon një pushtet më të centralizuar dhe kontroll më të madh mbi votën, ndërsa opozita, sipas tij, mbështet një model të bazuar në zhvillimin lokal, fuqizimin e bashkive dhe afërsinë e shërbimeve me qytetarët.

REAGIMI
ZHVILLIM LOKAL APO KUFIJ ELEKTORAL?
Reforma territoriale duhet të ketë vetëm një mision: ZHVILLIMIN LOKAL, jo vizatimin e hartave të reja elektorale!
​I angazhuar që nga dita e parë me këtë proces, e kam parë nga afër se si harta e 2014-ës dërrmoi ekonomitë lokale dhe shpopulloi zona të tëra anembanë vendit. Gati gjysma e shqiptarëve u braktisën, u lanë pa shërbime e pa investime.
​Sot PS po tenton të njëjtën lojë: të zhdukin edhe 15 bashki të tjera. Shkrirja e bashkive si Prrenjasi, Memaliaj apo Belshi nuk bëhet për eficiencë, por thjesht për aritmetike votash partiake.
Kontrasti është i dukshëm:
👉​PS do pushtet akoma edhe më të centralizuar e harta elektorale për të kontrolluar votën.
👉Ne duam zhvillim lokal gjithëpërfshirës, buxhete për qytetarin dhe bashki te dera e shtëpisë!
​Shqipëria nuk zhvillohet e nuk ripopullohet duke kyçur bashkitë, por duke i kthyer ato në shërbim të zhvillimit dhe fuqizimit të çdo familjeje dhe sipërmarrjeje shqiptare.
​Kjo është beteja jonë dhe nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në rikthimin e pushtetit real te qytetari, kudo qoftë ai!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: