Qytetarë të Divjakës kanë dalë në protestë kundër ndryshimeve të propozuara në reformën territoriale, e cila parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Lushnjës.
Në krye të protestuesve ishte kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorreja, ndërsa në tubim morën fjalën edhe qytetarë të shumtë, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kësaj nisme. Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, mes tyre deputetët Sajmir Korreshi dhe Brunilda Haxhiu, si dhe ish-deputetja e PD-së, Ilda Dhori.
Pjesëmarrësit argumentuan se bashkimi me një tjetër njësi vendore do të ndikojë në largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe në dobësimin e përfaqësimit lokal. Ata kërkuan që Bashkia Divjakë të vijojë të ekzistojë si njësi më vete dhe që vendimmarrja të mbetet sa më pranë komunitetit.
