Një tërmet i fuqishëm me magnitudë paraprake 4.7 ka goditur mbrëmjen e së premtes zonën vullkanike të Campi Flegrei, në jug të Italisë, duke u ndjerë fort në Napoli dhe në qytetet përreth. Lëkundja kryesore u regjistrua rreth orës 19:46 dhe, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), është më e forta e regjistruar ndonjëherë në këtë zonë.
Pas tërmetit kryesor, aktiviteti sizmik nuk u ndal. Deri në mbrëmje u regjistruan të paktën nëntë pasgoditje, ndërsa një tjetër lëkundje e fortë u ndje rreth orës 22:00. Frika bëri që mijëra banorë të dilnin nga banesat dhe të qëndronin në rrugë.
⚠️Il Sindaco di Pozzuoli ha attivato il Centro Operativo Comunale (COC) a seguito dei numerosi danni dopo il terremoto di 4.7.
Video di Mario Compagno Zazzaro. Dalle ore 20.00 la circolazione ferroviaria nel nodo di Napoli è sospesa in via precauzionale. pic.twitter.com/gBWnZnNWGz
— Italia 24H Live 🔴 – Notizie dall'Italia (@Italia24HLive) July 31, 2026
Dëmet më të konsiderueshme janë raportuar në Pozzuoli. Një mur mbrojtës pranë linjës hekurudhore Cumana u shemb mbi shina, pa shkaktuar viktima, ndërsa si masë sigurie u pezullua qarkullimi në linjat Cumana, Circumflegrea dhe metro.
Në disa zona janë regjistruar edhe rrëshqitje shkëmbinjsh, ndërsa në nënkalimin Savino Vitagliano gurë dhe copa shkëmbi goditën automjete, duke shmangur për pak pasoja më të rënda. Në shumë ndërtesa u shkëputën copa suvaje dhe materiale ndërtimi, ndërsa disa banorë mbetën të bllokuar në apartamente për shkak të deformimit të dyerve.
Përballë situatës, Prefektura aktivizoi menjëherë Qendrën e Koordinimit të Emergjencave. Kryebashkiaku i Pozzuolit, Luigi Manzoni, u kërkoi qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin vetëm informacionet zyrtare, ndërsa Qendra Operative Komunale u vu në funksion në bashkëpunim me Mbrojtjen Civile dhe Observatorin Vezuvian.
Sipas INGV-së, tërmeti lidhet me fenomenin e bradisizmit, procesi gjeologjik që shkakton ngritjen graduale të tokës në zonën e Campi Flegrei. Instituti thekson se një lëkundje me magnitudë 4.7 nuk ishte regjistruar më parë në këtë kontekst, duke tejkaluar rekordet e mëparshme prej 4.6 të marsit dhe qershorit 2025.
Nga Roma, zyra e Kryeministrisë njoftoi se kryeministrja Giorgia Meloni po ndjek në kohë reale zhvillimet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, Ministrinë kompetente dhe autoritetet lokale për koordinimin e ndërhyrjeve. Lëkundjet u ndjenë fuqishëm në shumë lagje të Napolit, përfshirë Vomero, Chiaia, Fuorigrotta, Soccavo dhe Colli Aminei. Në disa zona u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me rrjetin telefonik.
Banorët përshkruan momente paniku, duke treguar se tërmeti zgjati më shumë se zakonisht dhe se ndërtesat u lëkundën fort. Disa deklaruan se nuk janë rikthyer ende në banesat e tyre për shkak të frikës nga pasgoditjet.
Ndër dëmet infrastrukturore më të rëndësishme u raportua edhe dëmtimi i pjesshëm i një shtylle të tensionit të lartë në zonën e Agnanos, element kyç i rrjetit energjetik të Napolit. Teknikët arritën të rikthenin furnizimin për pjesën më të madhe të konsumatorëve, megjithatë në lagjet Fuorigrotta dhe Bagnoli vijojnë ende ndërprerje të lokalizuara të energjisë, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për normalizimin e plotë të situatës.
