Një vatër e madhe zjarri ka qenë aktive gjatë gjithë natës në zonën mes fshatrave Asim Zeneli dhe Saraqinisht, në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë vijuar pa ndërprerje operacionin për izolimin e flakëve.
Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër, alarmi është dhënë në orën 22:50, kur është raportuar shpërthimi i zjarrit. Terreni i vështirë, i mbuluar me bimësi të dendur, shkurre dhe bar të thatë, ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve në terren.
Pas rreth 6 orësh luftë të pandërprerë me flakët, efektivët e shërbimit zjarrfikës arritën të izolojnë dhe shuajnë plotësisht zjarrin në orën 04:45 të mëngjesit. Zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me barishte dhe shkurre, ndërsa terreni i vështirë dhe bimësia e dendur e bënë ndërhyrjen tepër të komplikuar për ekipet në terren. Falë angazhimit maksimal, profesionalizmit dhe sakrificës së forcave zjarrfikëse u bë e mundur pengimi i përhapjes së mëtejshme të flakëve dhe shmangia e rrezikut për zonat përreth.
Nga vlerësimet paraprake të autoriteteve dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, pasi vatra ishte shpërndarë në katër pika të ndryshme. Për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit kanë nisur hetimet, ndërsa strukturat ligjzbatuese po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës, nëse do të rezultojë se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.
