Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka dalë kundër propozimeve për riorganizimin e ri territorial, duke kërkuar që kjo bashki të ruajë statusin e saj si njësi vendore më vete.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Memaj ka argumentuar se Dimali ka një identitet të fortë historik, kulturor dhe ekonomik, duke theksuar se zona ka një trashëgimi që daton prej shekujsh dhe një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Sipas saj, reforma administrative e vitit 2015 krijoi një komunitet të bashkuar nga historia, traditat dhe interesat ekonomike, ndërsa emërtimi i Bashkisë Dimal erdhi pas konsultimeve me qytetarët.
“Vullneti i këtij komuniteti është që të vijojë të jetë i bashkuar si një njësi e vetme, pasi lidhjet historike, sociale dhe ekonomike janë të forta”, është shprehur Memaj.
Kryetarja e Bashkisë Dimal ka ngritur pikëpyetje mbi kriteret që janë përdorur për propozimin e shkrirjes së kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me njësi të tjera vendore. Ajo ka sjellë në vëmendje edhe tregues ekonomikë, duke krahasuar performancën financiare të Dimalit me atë të Bashkisë Berat.
Sipas Memajt, Dimal ka arritur të rrisë të ardhurat e veta dhe t’i kthejë ato në investime dhe shërbime për qytetarët, duke argumentuar se një bashki me rezultate të tilla nuk duhet të eliminohet nga harta administrative.
“Një njësi vendore që ka gjeneruar të ardhura dhe i ka rikthyer ato në investime për komunitetin, pse duhet të shkrihet?”, ka deklaruar ajo.
Memaj ka kritikuar gjithashtu mënyrën e zhvillimit të procesit të reformës territoriale, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përfshirje të institucioneve vendore në analizat dhe vendimmarrjen për ndryshimet e propozuara.
Ajo ka theksuar se çdo reformë duhet të bazohet në kritere të qarta dhe në një proces gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik, numrin e banorëve dhe veçoritë e çdo zone.
Në përfundim të reagimit të saj, kryetarja e Bashkisë Dimal ka përsëritur qëndrimin se kjo bashki duhet të vazhdojë të ekzistojë si njësi administrative më vete.
