Policia ka identifikuar dhe proceduar penalisht 8 të mitur, të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian në Tiranë.
Ngjarja ndodhi më 29 korrik 2026, pranë Pallatit të Kulturës, ku shtetasi italian u përfshi në një konflikt dhe pësoi dëmtime të lehta trupore.
Sipas policisë, pas veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të 8 shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç.
Të miturit dyshohet se kanë qenë pjesë e konfliktit gjatë të cilit u plagos 20-vjeçari italian.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e veprimeve ligjore.
