Lajmi për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër ka ndezur reagime të forta dhe protesta në qytetin verior, ku qytetarët janë ngritur në një marshim kundër kësaj marrëveshjeje të arritur në parim mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe.
Protestuesit nisën marshimin nga sheshi pranë shtatores së heroit Isa Boletinit dhe marshuan deri përpara godinës së Bashkisë Shkodër, duke e cilësuar hapjen e një konsullate serbe në këtë qytet si një akt plotësisht të pavend dhe provokues. Gjatë tubimit, ata theksuan se Serbia nuk ka kërkuar ende falje zyrtare për krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës, çka e bën të papranueshme çdo hapje zyrtare diplomatike të kësaj natyre.
Gjithashtu, qytetarët e kundërshtuan me forcë marrëveshjen parimore që parashikon hapjen e një konsullate të Shqipërisë në Bujanoc dhe të Serbisë në Shkodër, duke e quajtur atë absurde. Sipas protestuesve, nuk mund të bëhet kurrë një paralelizim i padrejtë mes vetëm 54 serbëve që jetojnë në Shkodër – sipas të dhënave të censusit të fundit – dhe 61 mijë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Të revoltuar, ata e cilësuan konsullatën serbe në Shkodër si një goditje të rëndë dhe një shkelm mbi gjakun e mijërave shqiptarëve të derdhur për lirinë e Kosovës, duke paralajmëruar se kundërshtimi i kësaj nisme do të vijojë.
