Tensioni i reformave të reja territoriale ka mbërritur në Rrogozhinë, ku punonjësit e bashkisë kanë bojkotuar punën paraditen e sotme, në shenjë proteste kundër draft-propozimit të Partisë Socialiste për shkrirjen e këtij institucioni dhe bashkimin e tij me Bashkinë e Kavajës.
Rreth orës 09:00, punonjësit kanë lënë zyrat e tyre dhe janë mbledhur masivisht përpara godinës së bashkisë. Ata kanë shprehur kundërshtimin e ashpër ndaj planit që, sipas tyre, rrezikon t’i heqë Rrogozhinës statusin e saj të pavarur dhe identitetin administrativ të ndërtuar ndër vite. Protestuesit theksuan se Bashkia Rrogozhinë plotëson të gjitha kriteret e duhura për të funksionuar si njësi më vete, si për nga numri i banorëve, ashtu edhe për kapacitetet njerëzore e financiare. Ata vunë inxhizuan faktin se Rrogozhina nuk është krijuar nga reforma territoriale e vitit 2015, por ka mbi 35 vite që funksionon si bashki më vete.
Gjatë tubimit, punonjësit kanë hedhur poshtë argumentet e paraqitura nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke pretenduar se të dhënat e paraqitura mbi Bashkinë Rrogozhinë nuk pasqyrojnë realitetin dhe se njësia vendore është vlerësuar pozitivisht bazuar edhe në rezultatet zyrtare të censusit.
Në përfundim të protestës, ata lëshuan një apel të fortë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe Komisionit për Reformën Territoriale, duke u kërkuar që të rishqyrtojnë këtë propozim dhe të mos miratojnë shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë. Sipas tyre, bashkimi me Kavajën do të dëmtonte ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe do të zbehte potencialin zhvillimor të zonës, e cila krenohet me pasuri si plazhi i Spillesë apo Kalaja e Bashtovës. Duke kërkuar më shumë vëmendje dhe investime nga qeveria në vend të ndryshimeve administrative, punonjësit paralajmëruan se do të vijojnë përshkallëzimin e kundërshtimit të tyre nëse drafti do të ecë përpara.
