Zjarri i rënë paraditen e kësaj të hëne në malin e Matomarës, në Bashkinë Finiq, është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga erërat e forta që fryjnë në zonë.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe tashmë paraqesin rrezik të depërtojnë në territorin e Bashkisë Delvinë, duke iu afruar fshatit Vllahat.
Sipas informacioneve nga bashkitë Finiq dhe Delvinë, pritet ndërhyrja nga ajri me helikopter për të ndihmuar në vënien nën kontroll të flakëve dhe për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës së zjarrit.
