Një 24-vjeçar shqiptar është vrarë me thikë mbrëmjen e së hënës në Vescovato, një qytezë me rreth 4 mijë banorë në provincën e Kremonës, Itali.
Viktima, i identifikuar si Dalipaj N., dyshohet se është goditur të paktën tre herë me thikë në zonën e qafës, pas një konflikti të dhunshëm në viale Italia, në qendër të qytetit. I riu u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, por ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
Për ngjarjen është ndaluar një 32-vjeçar italian, Mattia Miraglia, banues në Vescovato dhe pa precedentë penalë. Edhe ai ka mbetur i plagosur gjatë përleshjes dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje në spitalin “Maggiore”, ndërsa pozita e tij po shqyrtohet nga autoritetet gjyqësore.
Hetimet po kryhen nga karabinierët, të cilët po përpiqen të zbardhin motivet e konfliktit që përfundoi me vrasje.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i sherrit mund të kenë qenë motive pasionale, konkretisht xhelozia për një vajzë. Konflikti mes shqiptarit dhe 32-vjeçarit italian dyshohet se kishte nisur më herët në një lokal në Kremona.
Pas debatit, situata dukej se ishte qetësuar, por më pas shqiptari së bashku me vëllezërit e tij është drejtuar drejt banesës së rivalit në Vescovato. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, 32-vjeçari ka dalë nga banesa i pajisur me thikë, ka plagosur fillimisht në bark njërin prej vëllezërve të viktimës dhe më pas ka goditur për vdekje 24-vjeçarin shqiptar.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e plota dhe dinamikën e saktë të konfliktit.
