Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar pak ditë më parë në Francë. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK i ka kërkuar ministrisë dërgimin e kërkesës zyrtare për ekstradim te autoritetet ligjzbatuese franceze.

Bashkë me kërkesën është dërguar edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila ka caktuar ndaj Beqirit masën e sigurisë “arrest në burg”. Biznesmeni dyshohet për kryerjen e 7 veprave penale.
Ermal Beqiri u arrestua në Francë pasi u kap duke fluturuar me avion privat mbi një central bërthamor në Normandi, në një lartësi nën kufirin e lejuar. Pas arrestimit, SPAK bëri publike detaje nga operacioni ndërkombëtar që çoi në lokalizimin dhe ndalimin e tij.

Sipas SPAK, më 19 qershor 2026 u kërkua bashkëpunimi i autoriteteve franceze, pasi dyshohej se Beqiri ndodhej në territorin e Francës.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë evidentuar pasuri me vlerë miliona euro, mes të cilave llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si dhe blerjen e një kështjelle në departamentin Oise të Francës me vlerë rreth 2.6 milionë euro. Për këto pasuri, SPAK ka kërkuar sekuestrimin nga autoritetet franceze.

Çështja ndaj Beqirit lidhet edhe me hetimet për aktivitetin e kompanisë “Soft & Solution”, institucion financiar i parasë elektronike, të cilit Banka e Shqipërisë i shfuqizoi licencën në prill të këtij viti. Vendimi erdhi pasi SPAK kishte lëshuar urdhër arresti ndaj aksionarit të shoqërisë, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Beqiri dyshohet gjithashtu se ka përfituar një tender me vlerë mbi 1.1 milionë euro, pasi krahu i tij i djathtë, Ergys Agasi, dyshohet se ka ushtruar kërcënime ndaj një kompanie pjesëmarrëse në garë.
Në kuadër të hetimeve për AKSHI-n, SPAK ka evidentuar edhe një jaht luksoz në pronësi të dyshuar të biznesmenit, një Predator 50 Skyfall, me vlerë tregu rreth 1 milion euro. Jahti rezultonte i regjistruar në emër të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solution”, por prokurorët dyshojnë se ai është blerë nga vetë Beqiri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb