Të paktën 14 persona humbën jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një rrëshqitjeje dheu që goditi një manastir në rajonin Amhara, në veri të Etiopisë. Sipas një zëdhënësi të dioqezës, rrëshqitja ndodhi të hënën rreth orës 07:00 të mëngjesit në zonën Sela Dingai, rreth 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit Addis Ababa, pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima.
Masa të mëdha balte dhe shkëmbinjsh u shkëputën nga një kodër, duke mbuluar një pjesë të manastirit Tsadkane Mariam, ku në atë moment ndodheshin besimtarë të mbledhur për lutje.
“Katërmbëdhjetë besimtarë që po luteshin në manastir humbën jetën në vend, ndërsa tre persona të plagosur rëndë u transportuan në spital”, deklaroi zëdhënësi i dioqezës, duke theksuar se bilanci i viktimave konsiderohet përfundimtar.
Autoritetet lokale në rajonin North Shewa konfirmuan gjithashtu 14 viktima, duke bërë të ditur se tragjedia u shkaktua nga një rrëshqitje e papritur dheu pas motit të rënduar.
Etiopia po përballet aktualisht me sezonin e gjatë të shirave, i cili zgjat nga qershori deri në shtator. Vendi goditet shpesh nga fatkeqësi natyrore të lidhura me motin, ndërsa më shumë se dy të tretat e popullsisë jetojnë në zona rurale.
Në korrik të vitit 2024, një rrëshqitje masive dheu në jug të Etiopisë shkaktoi vdekjen e të paktën 257 personave. Ndërsa në mars të këtij viti, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në të njëjtin rajon lanë pas 80 viktima.
