Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, deklaroi se Uashingtoni dhe Teherani janë shumë pranë një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se ajo mund të finalizohet “sot ose nesër”. Në një intervistë për CNBC, Bessent tha se bisedimet me Iranin po vazhdojnë dhe se objektivi kryesor është garantimi i lirisë së lundrimit në një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale.

“Pas kërcënimeve të Presidentit Trump javën e kaluar, ne jemi në bisedime me iranianët dhe besoj se ekziston mundësia të kemi një marrëveshje sot ose nesër për të hapur Ngushticën dhe për të ecur drejt një situate më të normalizuar”, u shpreh ai. Bessent nuk pranoi të komentojë mbi detajet e mundshme të marrëveshjes apo nëse Irani do të vendosë tarifa tranziti për anijet, por theksoi se “do të ketë liri lundrimi” dhe se tashmë është vërejtur një rritje e numrit të anijeve që po largohen nga zona.

Sipas tij, rihapja e plotë e kalimit pritet të ndikojë pozitivisht në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

“Qindra anije po presin të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Pres që çmimet e energjisë të rikthehen në nivele më të ulëta, gjë që do të jetë pozitive për ekonominë globale”, tha ai. Ndërkohë, sipas Reuters, Irani po diskuton me Omanin një plan që do t’i japë Teheranit kontroll mbi anijet që hyjnë në Ngushticën e Hormuzit dhe mundësi për të monitoruar trafikun detar që largohet nga Gjiri Persik. Sipas burimeve të përfshira në negociata, anijet hyrëse do të kalonin në një korridor nën mbikëqyrjen iraniane, ndërsa ato dalëse do të përdornin një rrugë detare mes brigjeve të Iranit dhe Omanit. Leja përfundimtare e daljes do të jepej nga autoritetet e Omanit, pasi Irani të ishte informuar paraprakisht.

Burimi theksoi se Teherani nuk pritet të zbusë kërkesat e tij për çështjet e sigurisë, duke kujtuar se në fund të korrikut kishte refuzuar një propozim të mëparshëm të Omanit për ndarjen e barabartë të korridoreve detare.

Katari bën thirrje për vazhdimin e dialogut

Në të njëjtën kohë, Katari konfirmoi se po vazhdon kontaktet diplomatike me SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetës të tjerë rajonalë për të ulur tensionet dhe për të rikthyer palët në tryezën e negociatave. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, deklaroi se prioritet mbetet rikthimi i funksionimit normal të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa vlerësoi edhe rolin ndërmjetësues të Omanit dhe Pakistanit në përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret detare më strategjike në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë, duke e bërë çdo zhvillim në këtë zonë me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: