Pas më shumë se një muaji kërkimesh, është gjetur trupi i Luigi Cavallarit, bashkëshortit të ministres italiane të Familjes, Eugenia Roccella, i cili u zhduk më 27 qershor në ujërat e liqenit Vico. Cavallari, 84 vjeç, u fundos gjatë një udhëtimi me varkë në liqenin pranë provincës së Viterbos. Sipas dëshmitarëve, pak para se të zhdukej në ujë ai kishte thënë se nuk ndihej mirë dhe nuk kishte mundur të qëndronte më në varkë.

Trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive nga ekipet e emergjencës, të cilat u përballën me vështirësi për shkak të kushteve të liqenit. Ujërat me shikueshmëri të ulët, fundi i mbuluar me baltë dhe prania e dendur e algave e bënë operacionin e kërkimit veçanërisht të ndërlikuar.

Autoritetet italiane pritet të kryejnë autopsinë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Një nga hipotezat e ngritura është se ai mund të ketë pësuar një tronditje të shkaktuar nga temperaturat e larta, përpara se të binte në ujë. Lajmi ka prekur thellë familjen e ministres Roccella. Çifti kishte festuar këtë pranverë 50-vjetorin e martesës. Roccella kishte treguar më herët për lidhjen e gjatë me bashkëshortin e saj, duke thënë: “E takova kur isha 18 vjeç dhe që nga ai moment nuk u ndamë më kurrë”.

Luigi Cavallari ishte inxhinier dhe akademik i njohur me origjinë nga Abruzzo. Ai dha mësim për shumë vite në Shkollën e Arkitekturës të Universitetit “Gabriele d’Annunzio” në Chieti-Pescara, ku drejtoi Departamentin e Teknologjive të Mjedisit të Ndërtuar dhe mbajti poste drejtuese në fushën e inxhinierisë strukturore. Ai dhe Eugenia Roccella kishin dy fëmijë nga martesa e tyre. vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ndërsa familjes i janë shprehur ngushëllime nga përfaqësues të politikës dhe institucioneve italiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb