Një biletë lotarie me vlerë 1 milion euro u gjet mes plehrave në Bari të Italisë, pas një operacioni të pazakontë kërkimi nga punonjësit e higjienës urbane. Bileta ishte hedhur gabimisht nga pronarja e saj, e cila fillimisht mendoi se kishte humbur çmimin e madh. Kompania e menaxhimit të mbetjeve SANB bëri të ditur se bileta u gjet “mrekullisht ende e paprekur” brenda kamionit të mbeturinave.

Sipas drejtorit të SANB-së, Roberto Nicola Toscano, gjithçka nisi të dielën, kur gruaja shkoi në një dyqan pranë banesës së saj për të kontrolluar biletën pas shortit. Pajisja e dyqanit e shfaqi atë si të papagueshme, pasi pikat e vogla nuk mund të kryejnë pagesa për shuma të mëdha. Duke menduar se nuk kishte fituar, gruaja e la biletën në dyqan dhe u largua. Por pak më vonë, një familjar i saj i tha se numrat që ajo kishte luajtur zakonisht ishin shpallur fitues. Familja u kthye menjëherë në dyqan, por bileta ishte hedhur tashmë në kosh dhe kamioni i mbeturinave ishte larguar.

Pas kërkimeve të shpejta, ata arritën të lokalizonin kamionin dhe u kërkuan punonjësve ta ndalonin, duke u shpjeguar situatën. Për shkak të rrezikut nga mbetjet e grumbulluara, kërkimi nuk u krye në rrugë, por në ambientet e një kompanie të specializuar. Punonjësit kontrolluan për një ditë të tërë mes mbeturinave, ku gjetën shumë bileta lotarie, por mes tyre ishte edhe ajo fituese prej 1 milion eurosh.

Kur drejtori i SANB-së i dha lajmin gruas se bileta ishte gjetur, ajo shpërtheu në lot nga emocionet. “Do ta kisha përqafuar, por po flisnim në telefon”, tha Toscano, duke përshkruar momentin e gëzimit të madh për fituesen që rrezikoi të humbiste një pasuri prej 1 milion eurosh.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: