Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi është i gatshëm të marrë pjesë në çdo format negociatash që mund të çojë drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

Në një deklaratë për mediat, Zelensky tha se komunikimi me përfaqësuesit e presidentit amerikan Donald Trump është i vazhdueshëm dhe se kontaktet e përditshme me Uashingtonin kanë rëndësi të veçantë.

“Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e presidentit Trump dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh lideri ukrainas.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit në Uashington është diskutuar për krijimin e kushteve të reja që do të mundësonin një proces real diplomatik.

Zelensky theksoi se Ukraina mbetet e hapur për të gjitha format e takimeve dhe negociatave, ndërsa shprehu pritshmërinë që përfaqësues të administratës amerikane, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të angazhohen më tej në përpjekjet diplomatike gjatë muajit gusht.

Presidenti ukrainas shtoi se Kievi po vijon bashkëpunimin edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht me vendet e Gjirit, të cilat sipas tij mund të luajnë rol në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike dhe nevojave të sigurisë së Ukrainës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: