Një burrë 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit të Presidentit amerikan Donald Trump në Rancho Palos Verdes, Kaliforni, vetëm pak ditë përpara një eventi për mbledhje fondesh ku presidenti pritet të marrë pjesë.
I dyshuari, Jeanine John Taele, u vu në pranga pasi u pa duke lëvizur në fushën e golfit, duke bërë fotografi dhe video të zonës, ndërsa sipas autoriteteve dukej se po monitoronte përgatitjet e sigurisë. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një pistoletë të mbushur, karikatorë me municione të ndaluara dhe më pas zbuloi se ai kërkohej edhe për një grabitje nga Policia e El Segundo.
Një bastisje në banesën e tij në Downey zbuloi një arsenal armësh, përfshirë një pushkë të modifikuar në mënyrë të paligjshme, një pistoletë .45, jelekë antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi të mëdha municionesh dhe fletore me deklarata që autoritetet i cilësuan si “shqetësuese”.
Hetimi po zhvillohet nga FBI-ja, Shërbimi Sekret dhe autoritetet lokale për të përcaktuar nëse ekzistonte ndonjë kërcënim ndaj presidentit. Deri tani, zyrtarët kanë theksuar se nuk është identifikuar asnjë kërcënim i besueshëm ndaj komunitetit dhe i dyshuari nuk përballet me akuza për tentativë sulmi ndaj Trump.
Arrestimi ndodhi gjatë një vizite të rrallë të Trump në Kaliforni, ku ai do të marrë pjesë në një darkë për mbledhje fondesh të Partisë Republikane dhe më pas do të udhëtojë drejt Las Vegasit. Vizita zhvillohet në një periudhë kur aktiviteti politik po intensifikohet përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.
