Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e partive politike kanë deklaruar se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe formimin e institucioneve do të vijojnë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se takimet mes subjekteve politike mbeten të hapura dhe se puna do të vazhdojë për të arritur një zgjidhje politike që do t’i japë fund ngërçit institucional.
“Duhet të normalizohet jeta në Kosovë, të punohet në mënyrë më agresive, në një agjendë më zhvillimore dhe që Kosovës i jep mundësi. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë. Nuk ka orar determinues dhe 24/7 do të punohet për të arritur këtë qëllim. Krejt në fund është vullnet politik”, deklaroi Haziri para nisjes së seancës.

Ai theksoi se palët aktualisht janë duke diskutuar mbi parimet bazë, ndërsa ndarja e përgjegjësive dhe çështjet konkrete të posteve do të trajtohen në një fazë të mëvonshme.
“Nuk ka çështje që në këtë fazë na dallojnë shumë. Sa i përket politikave sektoriale, agjendës dhe proceseve politike, nuk është biseduar shumë në hollësi. Jemi në nivelin e diskutimit të parimeve bazë. Ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit. Më rëndësi është të ketë vullnet të mirë”, tha ai.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve, tha se ka përparim në disa çështje, por ende ekzistojnë dallime për postin e presidentit.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku para fillimit të seancës.

Ai shmangu komentet për emra konkretë për postin e presidentit, duke insistuar se kërkesa e LDK-së lidhet me përfaqësimin institucional.
“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emra individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se palët kanë ende kohë për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e Qeverisë.
“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë. Nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparentë me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, tha kreu i LDK-së.

Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se PDK ka hyrë në diskutime pa kërkuar ndarje postesh, por duke u fokusuar te programet dhe prioritetet për vendin.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent. Ne kemi shkuar në takim, nuk kemi pasur, nuk kemi garuar ne kush të bëhet, kush në cilën pozitë të bëhet. Kemi garuar dhe kemi kërkuar votat e qytetarëve të Kosovës me një program për ekonominë, drejtësinë, energjinë, infrastrukturën dhe anëtarësimet”, tha Hamza.

Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohet në një moment vendimtar për Kosovën, pasi palët politike kanë afat të kufizuar për krijimin e institucioneve të reja dhe shmangien e një zgjatjeje të krizës politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb