Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, përmes një deklarate për mediat ka ngritur akuza të forta lidhur me atë që ai e cilëson si “aferën e AKSHI-t”, duke e konsideruar atë jo thjesht si një rast korrupsioni administrativ, por si një provë serioze për aftësinë e drejtësisë shqiptare për të hetuar tjetërsimin e fondeve publike dhe transferimin e tyre jashtë vendit.

Balliu është ndalur veçanërisht te aktivitetet e shtetasit Ermal Beqiri dhe kompanisë “Al Soft”, duke nxjerrë në pah të dhëna që sipas tij kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm nga organet ligjzbatuese:

“Në Shqipëri, Al Soft është founded në vitin 2010, dhe po në të njëjtin vit ka hyrë në procedurë likuidimi. Megjithatë, rezulton se në qytetin e Nîmes, në Francë, është regjistruar një subjekt me të njëjtin emër, AL Soft, me objekt veprimtarie në hoteleri, akomodim dhe teknologji informacioni, ku promovohet edhe aktiviteti i Al Soft në Shqipëri si një histori suksesi. Po ashtu, rezulton se subjekte me të njëjtin emër janë regjistruar edhe në Belgjikë dhe në Qipro,” u shpreh deputeti demokrat.

  • foto galeri
  • foto galeri

Përfaqësuesi i PD-së nëvizoi se këto elemente ngrenë pikëpyetje thelbësore që nuk mund të kalojnë në heshtje. Ai i bëri thirrje Strukturës Osoçme Antikorrupsion (SPAK) që të mos kufizohet vetëm në hetimin e procedurave administrative apo të kontratave publike, por të ndjekë paratë dhe pasuritë e krijuara brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Balliu ngriti disa pyetje direkte për organet e drejtësisë, duke kërkuar të dihet se a është verifikuar burimi i kapitalit me të cilin janë financuar këto aktivitete në Francë, Belgjikë e Qipro, a janë analizuar flukset financiare dhe pronësia përfituese në lidhje me fondet e AKSHI-t, si dhe nëse është kryer një hetim pasuror i plotë. Ai theksoi se nëse ekzistojnë dyshime të arsyeshme, SPAK ka detyrimin ligjor të bashkëpunojë me autoritetet franceze, belge dhe qipriote për të kryer verifikimet përkatëse.

  • foto galeri

Në përmbyllje të deklaratës së tij, Balliu e lidhi këtë çështje me valën e protestave që po zhvillohen prej më shumë se dy muajsh në vend, duke theksuar se qytetarët kërkojnë zbatim të barabartë të ligjit dhe ndëshkim pa përjashtim për të gjithë përgjegjësit.

“Afera e AKSHI-t është një nga dosjet që ka ngritur shqetësime të mëdha publike mbi raportin mes pushtetit politik, administrimit të fondeve publike dhe interesave private. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë se çfarë po bëhet me pasuritë e tyre. Është kjo një prej arsyeve që ata dalin, prej më shumë se dy muajsh, çdo natë në protestë të pandërprerë. Mesazhi është i thjeshtë: si hajdutët, si ata që nuk i hetojnë dhe dënojnë, duhen ndëshkuar. Heshtje mbi vjedhje të shkallës industriale nuk mund të ketë,” përfundoi Balliu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb