Një fazë e sipërme e raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX është përplasur me sipërfaqen e Hënës, duke krijuar një krater të ri në një ngjarje që ishte parashikuar prej ditësh nga shkencëtarët dhe agjencitë hapësinore.

Përplasja ndodhi të mërkurën në mëngjes, pasi objekti kishte qëndruar në orbitën hënore për më shumë se një vit. Sipas ekspertëve, ngjarja përbën një mundësi të rrallë për të studiuar efektet e ndikimit të një objekti të madh të krijuar nga njeriu mbi sipërfaqen hënore. Edhe pse NASA dhe SpaceX nuk kanë publikuar ende një konfirmim zyrtar me pamje nga vendi i ngjarjes, impakti u konfirmua nga Teleskopi Shumë i Madh (VLT) i Observatorit Evropian Jugor (ESO). Shkencëtarët identifikuan vija spektrale të natriumit dhe litiumit në renë e pluhurit të krijuar pas përplasjes, të cilat mbetën të dukshme për rreth pesë deri në dhjetë minuta.


Sipas ESO-s, natriumi mendohet se ka ardhur nga sipërfaqja e Hënës, ndërsa litiumi mund të jetë çliruar nga vetë raketa. Instituti Korean i Kërkimeve Hapësinore (KARI) njoftoi se përplasja ndodhi në orën 09:34 (ora lokale greke), ndërsa orbiteri hënor Danuri regjistroi imazhe para dhe pas impaktit. Fotot tregojnë ndryshime të dukshme në terrenin përreth, si edhe gjurmë të materialeve të shpërndara nga përplasja.

Shkencëtarët koreanë kishin nisur monitorimin e zonës rreth 30 minuta përpara ngjarjes, duke siguruar materiale të vlefshme për krahasimin e sipërfaqes hënore para dhe pas impaktit. Të dhënat do të analizohen së bashku me ato të Lunar Reconnaissance Orbiter (LRO) të NASA-s në kuadër të projekteve ndërkombëtare kërkimore. Në momentin e përplasjes, faza e sipërme e Falcon 9, me një peshë rreth katër ton dhe madhësinë e një autobusi shkollor, po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 8.690 kilometrash në orë. Përplasja ndodhi pranë vijës që ndan pjesën e ndriçuar të Hënës nga ajo në hije, duke krijuar një re pluhuri që u ndriçua për pak sekonda nga rrezet e Diellit.

Sipas Reuters, fenomeni ishte shumë i zbehtë për t’u dalluar me sy të lirë nga Toka. Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se impakte të ngjashme kanë ndodhur që nga koha e programit Apollo, kur fazat e përdorura të raketave drejtoheshin qëllimisht drejt Hënës për eksperimente shkencore dhe studime sizmike. Ai theksoi se meteoritët godasin Hënën pothuajse çdo orë, ndërsa objekte me madhësinë e Falcon 9 përplasen me sipërfaqen hënore mesatarisht një herë në gjashtë ditë.

Nga ana e saj, SpaceX sqaroi se përplasja me Hënën nuk ishte pjesë e planit fillestar të misionit. Kompania bëri të ditur se një kombinim i aktivitetit diellor, gravitetit dhe trajektores orbitale bëri që faza e sipërme e raketës të devijonte dhe të përfundonte në një kurs përplasjeje me Hënën.

SpaceX shtoi se po bashkëpunon me NASA-n për të zhvilluar mënyra më efikase për largimin e objekteve të tilla nga orbita, ndërsa ritheksoi angazhimin e saj për misione më të qëndrueshme përmes anijes plotësisht të ripërdorshme Starship. Falcon 9 u lëshua më 15 janar 2025 drejt Hënës, duke transportuar dy anije robotike: Blue Ghost-1 të Firefly Aerospace dhe Resilience të kompanisë japoneze ispace.

Pas përfundimit të misionit, faza e sipërme e raketës nuk mundi të rikthehej në atmosferën e Tokës dhe mbeti në orbitë, derisa trajektorja e saj e çoi në përplasjen me sipërfaqen hënore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: