Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një inspektim në Himarë për të ndjekur nga afër zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror.

Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, Ministri Lamallari theksoi se siguria është një nga elementët kryesorë që garanton zhvillimin e turizmit dhe se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor është vendimtar për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët dhe turistët.

“Siguria nuk është thjesht një detyrim i shtetit, por premtimi ynë për çdo qytetar dhe çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë. Bashkë me pushtetin lokal, çdo strukturë është në detyrë për të garantuar rend, siguri, ndihmë të menjëhershme dhe shërbime dinjitoze për pushuesit vendas e të huaj”, u shpreh ministri Lamallari.

Ai nënvizoi se vetëm në 4 muajt e fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 67 raste për t’u ardhur në ndihmë turistëve, duke shpëtuar mbi 200 vizitorë, kryesisht në zonat malore të Çikës, Gjipesë dhe jugut të vendit.

Ministri vlerësoi gjithashtu efektet pozitive të zbatimit të udhëzimit të rishikuar për nivelin e lejuar të zhurmës, duke theksuar se ai është mirëpritur si nga turistët ashtu edhe nga bizneset, ndërsa bëri të ditur se kontrollet në vijën bregdetare janë intensifikuar.

“Vetëm gjatë katër muajve të fundit janë kontrolluar 4 220 mjete lundruese, 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë sanksionuar 166 raste të shkeljeve në det, me bllokim mjetesh dhe masa administrative ndaj drejtuesve që kanë rrezikuar sigurinë e pushuesve ose kanë shkelur rregullat e lundrimit”, deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se institucionet janë të angazhuara për të garantuar standarde të larta sigurie përgjatë gjithë sezonit veror.

“Bashkërendojmë punën për standarde maksimale, reagim të shpejtë në rast situatash kur kërkohet ndihmë dhe tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë apo imazhin e vendit”, tha ai. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi një nga risitë më të rëndësishme të këtij sezoni turistik.

“Për herë të parë këtë vit, kontrolli kufitar detar kryhet drejtpërdrejt në det. Jahtet dhe mjetet lundruese nuk kanë më nevojë të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, pasi Policia Kufitare shkon pranë tyre dhe kryen verifikimet në sistemin TIMS. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që rrit cilësinë e shërbimit dhe lehtëson lëvizjen e mjeteve lundruese”, u shpreh Hita. Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Falë bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Shtetit kemi arritur të kemi një sezon të sigurt turistik. Policia ka qenë një mbështetje e vazhdueshme, si në menaxhimin e trafikut dhe rendit publik, ashtu edhe në operacionet e shpëtimit të turistëve dhe në administrimin e problematikave që lidhen me zhurmat dhe qarkullimin gjatë sezonit veror”, tha Tavo.

Gjatë inspektimit u theksua se strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet e tjera përgjegjëse, do të vijojnë kontrollet intensive në tokë dhe në det, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e standardeve që forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: