Një çift të moshuarish në Francë ka rënë pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi, duke humbur pasuri me vlerë rreth 1.1 milionë euro, pasi mashtruesit i bindën se sendet e tyre me vlerë ishin në rrezik. Ngjarja ka ndodhur në Lainville-en-Vexin, një fshat me rreth 800 banorë në departamentin Yvelines. Sipas mediave franceze, gjithçka nisi më 31 korrik, kur çifti mori një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës i një kompanie sigurie.
Mashtruesi u tha pensionistëve se të dhënat e tyre personale ishin komprometuar dhe i këshilloi të mos largoheshin nga banesa. Për ta bërë historinë më të besueshme, ai u kërkoi gjithashtu të përgatisnin një ankesë paraprake.
Dy ditë më vonë, autorët kaluan në fazën tjetër të planit. Një person tjetër i përfshirë në skemë mori burrin nga banesa me pretendimin se duhej të kryhej një procedurë sigurie.
Ndërkohë, gruaja mbeti në shtëpi dhe mori një tjetër telefonatë nga një person që u paraqit sërish si përfaqësues i kompanisë së sigurisë. Kur mësoi se familja kishte një kasafortë, ai e pyeti për përmbajtjen e saj dhe e bindi se paratë dhe sendet me vlerë duhej të zhvendoseshin përkohësisht në një vend të mbrojtur.
E bindur nga skenari i përgatitur, pensionistja vendosi në një çantë para të gatshme, paund ari, shufra ari dhe bizhuteri. Më pas, ia dorëzoi një personi që u paraqit në derën e shtëpisë si korrier i autorizuar. Vlera totale e pasurisë së marrë nga mashtruesit llogaritet në rreth 1.1 milionë euro. Kur çifti kuptoi se kishte rënë në kurthin e mashtrimit, njoftoi menjëherë autoritetet dhe depozitoi kallëzim.
Hetuesit francezë po shqyrtojnë mundësinë që autorët të kenë siguruar të dhënat e viktimave përmes rrjedhjeve të informacionit personal. Dyshimet lidhen edhe me disa sulme kibernetike të raportuara së fundmi ndaj kompanive që merren me blerjen dhe shitjen e arit në Francë.
Deri tani, autorët e skemës mbeten të paidentifikuar dhe të lirë, ndërsa policia po heton nëse grupi mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera mashtrimi ndaj personave që zotërojnë sende me vlerë.
