Rebelët Huthi në Jemen kanë marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh me raketa dhe dronë kundër forcave qeveritare të vendit, ku sipas burimeve mjekësore humbën jetën të paktën 38 persona. Zëdhënësi ushtarak i rebelëve pro-iranianë, Yahya Sareh, deklaroi se forcat Huthi kishin kryer “një operacion në shkallë të gjerë” kundër pozicioneve të trupave të mbështetura nga Arabia Saudite.
Sipas tij, sulmet kishin në shënjestër përqendrime ushtarësh në zonat Al-Ruwaiq, Al-Abr dhe Al-Thaniyya, ku pretendoi se u vranë ose u plagosën qindra “luftëtarë të mbështetur nga Arabia Saudite”. Huthitët deklaruan gjithashtu se kishin shkatërruar kampe ushtarake, depo armësh dhe automjete, por këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Burime mjekësore i thanë agjencisë AFP se nga sulmet mbetën të vrarë të paktën 38 pjesëtarë të ushtrisë qeveritare, ndërsa 29 të tjerë u plagosën. Ky konsiderohet bilanci më i rëndë i viktimave që nga viti 2022, kur mes palëve u vendos një armëpushim i brishtë. Një zyrtar ushtarak bëri të ditur se në shënjestër ishin një kamp ushtarak në provincën Marib, në Jemenin qendror, si dhe disa pozicione në provincën Hadramout, pranë kufirit me Arabinë Saudite.
Sulmet vijnë në një periudhë tensionesh të rritura në Jemen, ku pas disa vitesh qetësi relative, përplasjet mes rebelëve Huthi dhe forcave të mbështetura nga Arabia Saudite janë intensifikuar sërish.
Gjatë luftës së viteve 2014-2022, Huthitët morën kontrollin e pjesës më të madhe të territorit jemenas, përfshirë kryeqytetin Sanaa, duke detyruar forcat qeveritare të tërhiqen. Kundër tyre ndërhyri një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite. Misioni diplomatik amerikan në Jemen dënoi sulmet e fundit, duke shprehur ngushëllime për familjet e ushtarëve të vrarë dhe duke i cilësuar veprimet e rebelëve Huthi si një tjetër shembull të dhunës ndaj popullit jemenas.
Ndërkohë, Huthitët kanë njoftuar së fundmi edhe masa bllokuese në Detin e Kuq kundër Arabisë Saudite, të cilat sipas tyre janë përgjigje ndaj një rrethimi saudit ndaj Jemenit. Riadi i ka mohuar këto akuza.
