Shpërthimet e fuqishme të regjistruara pasditen e së enjtes në ishullin Qeshm, në jug të Iranit, kanë ngritur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në Gjirin Persik. Kompania ndërkombëtare e sigurisë EOS Risk Group, përmes një përditësimi emergjent të analistit Alketas Drosos, ka rritur nivelin e rrezikut për të gjitha portet e shteteve të Gjirit në HIGH (4/5), duke paralajmëruar se mundësia e një përplasjeje të re mes SHBA-së dhe Iranit është shtuar ndjeshëm.

Sipas raportit, shpërthimet u regjistruan rreth orës 18:20 UTC në ishullin Qeshm, ndërsa shkaku i tyre mbetet ende i paqartë. Një nga skenarët që po analizohet është rifillimi i sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane, megjithëse deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Uashingtoni.

Burime lokale raportojnë se shpërthimet mund të kenë lidhje edhe me të shtëna paralajmëruese të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në zonën e Ngushticës së Hormuzit, por ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Analistët e EOS Risk Group vlerësojnë se tensionet mes SHBA-së dhe Iranit për kontrollin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit mbeten jashtëzakonisht të larta, ndërsa nuk përjashtohet as një reagim i ri ushtarak nga Uashingtoni dhe as një kundërpërgjigje iraniane në orët në vijim.

Sipas kompanisë, objektivat e mundshëm përfshijnë baza ushtarake, infrastrukturë energjetike, terminale të eksportit të naftës dhe portet e vendeve të Gjirit Persik, të cilat Teherani mund t’i konsiderojë si mbështetëse të interesave amerikane.

Për këtë arsye, EOS Risk Group u ka bërë thirrje kompanive të transportit detar që të rishikojnë lëvizjet drejt porteve të Gjirit Persik gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa anijet tregtare këshillohen të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me qendrat e sigurisë UKMTO dhe NAVCENT NCAGS për të marrë paralajmërime operative në kohë reale.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i ri në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për transportin ndërkombëtar detar, furnizimin global me naftë dhe gaz të lëngshëm (LNG), si dhe për rritjen e kostove të transportit dhe sigurimeve në tregjet ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: