Një njësi raketore e Koresë së Veriut ka nisur dislokimin në perëndim të Rusisë dhe mund të pajiset me 120 raketa balistike dhe gjashtë lëshues, të destinuara për sulme kundër Ukrainës, njoftoi sot zyrtari i inteligjencës ushtarake ukrainase, Andrii Cherniak, raportoi “Reuters”.

Sipas Cherniak, njësia prej rreth 90 ushtarakësh koreano-veriorë, pritet të vendoset në rajonin rus të Voronezhit, pranë Brigadës së 112-të të Raketave.

Ai tha se Koreja e Veriut ka dërguar tashmë një kontingjent të ri me 40 raketa balistike KN-23 dhe KN-24, ndërsa numri përfundimtar i raketave dhe mënyra e dislokimit do të përcaktohen në bisedime të nivelit të lartë muajin e ardhshëm.

Sipas inteligjencës ukrainase, Rusia javën e kaluar, përdori për herë të parë që nga gushti 2025, raketa balistike koreano-veriore për të goditur Ukrainën.

Një nga këto sulme shkatërroi një banesë në fshatin Radushne, duke vrarë pesë anëtarë të së njëjtës familje.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e numrit të raketave balistike, përbën një kërcënim serioz për Ukrainën, e cila ka mungesë të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore.

Shqetësim i veçantë mbetet dimri, kur Rusia mund të rifillojë sulmet masive ndaj infrastrukturës energjetike.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Phenianit është forcuar ndjeshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb