Drita dhe Shkëndija e Tetovës, dy ekipet shqiptare në Conference League, vijojnë aventurën në turin e tretë të këtij turneu. Ekipi nga Kosova siguroi një fitore me poker golash në transfertë përballë Tre Fiori, një fitore e thellë 4-1 që e bën tashmë një formalitet kualifikimin për më tej. Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, ishte ekipi nga San Marino që kaloi në avantazh Prandellit në minutën e 56-të.
Drita reagoi shpejt dhe brenda 2 minutash përmbysën rezultatin falë golave të Ovouka dhe Manaj. Stafetën e mori më pas Krasniqi, me mbrojtësin dardan që realizoi një “dopietë” golash duke sigluar shifrat në 4-1, një fitore që afron Dritën gjithnjë e më shumë me kualifikimin.
E pafat ishte Shkëndija me ekipin nga Tetova që pësoi një humbje 2-1 në transfertë përballë Hibernian. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 73-të, por tre minuta më pas ishte Gjorgjevski që barazoi shifrat në 1-1. Në minutën e 90-të, skocezët gjetën golin e dytë dhe të fitores me O’Horan, por Shkëndja e Tetovës mbetet në lojë për të siguruar një biletë më tej për në Conference League.
