Policia e Vlorës ka arrestuar mbrëmjen e kësaj të shtune Renardo Nallbanin, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e tij është zhvilluar në zonën e Palasës, ku shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur arrestimin e Nallbanit.
Ai rezulton i akuzuar për disa vepra penale, mes tyre “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nallbani ishte shpallur në kërkim prej dy vitesh, ndërsa arrestimi i tij u realizua pas veprimeve të Policisë për lokalizimin e tij. Materialet procedurale pritet t’i kalojnë organeve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.
