Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë mbrëmjes së të shtunës zonën mes fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, në Gjirokastër, duke paraqitur rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Zjarri është përqendruar në dy vatra aktive, me një perimetër të përgjithshëm prej rreth 4 kilometrash. Terreni i thyer dhe bimësia e dendur po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe afrimin e mjeteve në vatrat e zjarrit.
Sipas autoriteteve, në të njëjtën zonë janë evidentuar edhe tre vatra zjarri rreth një javë më parë, duke ngritur shqetësime për situatën e përsëritur.
I gjithë shërbimi zjarrfikës i Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër ndodhet në terren, ku po vijon puna për shuarjen e flakëve dhe monitorimin e situatës.
Për forcimin e operacionit priten të mbërrijnë forca shtesë zjarrfikëse, zjarrfikës vullnetarë dhe trupa të Forcave të Armatosura, të cilat do të angazhohen në përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit.
Situata vijon të jetë e vështirë dhe dinamike, ndërsa ekipet në terren po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara që ndodhen pranë vatrave aktive.
