Grupi i armatosur Huthi në Jemen ka marrë përgjegjësinë për një sulm ndaj një objekti të kompanisë saudite të naftës Saudi Aramco në Jizan, në brigjet e Detit të Kuq, ku raportohet se shpërtheu një zjarr.
Sipas deklaratës së zëdhënësit ushtarak të Huthëve, sulmi u krye me “një numër të madh raketash balistike dhe dronësh” dhe goditja ishte, sipas grupit, “e saktë”.
Huthët pretendojnë se sulmi shkaktoi shkatërrim të gjerë të pajisjeve dhe armëve, si dhe vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra personave, përfshirë shtetas sauditë. Pretendimet për numrin e viktimave nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Në deklaratën e tyre, Huthët akuzuan Arabinë Saudite se po synon popullsinë jemenase dhe paralajmëruan se do të kundërshtojnë veprimet e Riadit.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite ka mirëpritur deklaratën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila dënon sulmet me raketa të Huthëve kundër Arabisë Saudite dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq.
